Dy leksione për presidentin e ardhshëm amerikan

1 November 2016, Comments: 0

Ndërsa shihja jashtë dritares përtej gjirit të qytetit të Nagasakit në Japoni, dy mendime të një rëndësie të konsiderueshme për presidentin e ardhshëm amerikan më erdhën në mendje.

Nagasaki ka duruar më të keqen e njerëzimit. Në gusht 1945, një bombë plutoniumi asgjësoi qytetin, duke shkaktuar dëm të madh fizik dhe vuajtje të papërshkrueshme njerëzore. Që atëherë, megjithatë, qyteti ka qenë shembull i arritjes më të madhe të njeriut, duke u ngritur nga rrënojat falë shpirtit dhe sipërmarrjes së burrave dhe grave japonezë, të cilët tregtuan gjërat që ndërtonin – për shembull, në kantieret detare Mitsubishi – me pjesën tjetër të botës.

Por, Nagasaki – dhe Japonia, më gjerësisht – jo gjithnjë kanë qenë të hapura ndaj botës, duke shkuar përtej oqeanit për t’u lidhur me vende të tjera, nga fqinjët e afërt si Kina deri te aleatët e largët si Shtetet e Bashkuara. Për shekuj, mendjet japoneze dhe kufijtë japonezë kanë qenë të mbyllur kategorikisht.

Në anën kodrinore të Nagasakit, ekziston një kujtues i zymtë i këtij mentaliteti të mbyllur radikal. Një monument përkujton martirizimin e 26 katolikëve romakë të cilët u kryqëzuan në fund të shekullit XVI si pjesë e një përpjekjeje për të penguar përhapjen e krishterimit në Japoni. Regjisori amerikan Martin Scorsese tani po përfundon një përshtatje të këtyre eventeve, bazuar në një roman të Shusaku Endo “Heshtja”.

Përqafimi i modernitetit nga Japonia erdhi shekuj më vonë, me reformën Meiji që filloi në fund të viteve 1860. Në vend që të humbte lidhjen me kulturën dhe traditat e veta, Japonia i shkriu të dyja duke ecur përpara pa lënë pas të shkuarën. Kjo balancë reflektohet në arkitekturën japoneze, që ndërsa është moderne, bazohet në traditë.

Por, çfarë lidhje ka e gjitha kjo me zgjedhjet në SHBA? Në radhë të parë, SHBA-ja, ashtu si disa pjesë të Evropës tani rrezikon të hyjë në periudhën e saj të mendjeve dhe kufijve të mbyllur. Ndërsa Hillary Clinton më e moderuar ka gjasa të mundë izolatorin e papërgjegjshëm Donald Trump, reagimi kundër hapjes që ka nxitur rritja e pushtetit nga Trumpi nuk do të zhduket vetë.

Sigurisht, Clinton për presidente, mes të tjerë politikëbërësve do të bënte mirë të nënvijëzonte rolin kryesor që diversiteti ka luajtur në suksesin e Amerikës. Ofrimi i një parajse për njerëz nga e gjithë bota, ku kushdo është subjekt i të njëjtave rregulla dhe ligje, ka qenë një fuqi kyçe e SHBA-së për pjesën më të madhe të historisë së saj. Kjo ide reflektohet në fjalët e vulës së vendit: E Pluribus Unum (nga shumë, një).

Por, Clinton gjithashtu do të duhet të adresojë disa vështirësi reale që nxitën reagimin kundër hapjes ekonomike. Një program infrastrukture, që krijon vende të mëdha punësh në prodhim dhe shpërndarje të pasurisë, do të ishte një fillim i mirë – një fillim që do të ishte shumë më i lehtë për t’u arritur nëse Partia e saj Demokratike do të fitonte Senatin. Me një qasje të tillë, SHBA-ja mund të rigjallërojë reputacionin e saj si “toka e mundësive”, që ka qenë kritik për fuqinë e butë të SHBA në të shkuarën.

Ndërsa punon për të rregulluar përçarjet në atdhe, Clinton gjithashtu do të ketë shumë punë edhe jashtë. Këtu shfaqet edhe mësimi i dytë nga historia e Nagasakit: kërcënimi i madh i armëve bërthamore.

Sot është Koreja e Veriut që e përfaqëson më mirë këtë kërcënim. Regjimi i dhunshëm i këtij shteti, bëri që delikuenti i mitur më i pushtetshëm në botë, Kim Jong-un, jo vetëm të ketë armë bërthamore, por të punojë për të zhvilluar kapacitet të gjuajtjes së rrezes së gjatë. Testet e fundit të armëve bërthamore dhe raketat me rreze të gjatë – përfshirë testin më të rëndësishëm të vendit ndonjëherë, kryer muajin e shkuar – që tregon se sa afër është Mbretëria e Vetmitarit nga arritja e synimeve të saj.

Edhe nëse Clinton mban një qasje të kufizuar ndaj përdorimit të forcës në mosmarrëveshjet ndërkombëtare, ashtu si presidenti Obama gjatë tetë viteve të fundit, ajo nuk do të mund të qëndrojë e papërfshirë nëse Koreja e Veriut ka kapacitet të lansojë një sulm ajror me rreze të gjatë. Amerika do të duhet të mbrojë aleatët e saj aziatikë (pa përmendur shtetasit e saj, nëse Veriu do të ishte në gjendje të sulmonte tokën amerikane).

Por, veprimi i njëanshëm sigurisht që nuk do të jetë mundësia më e mirë. Do të ishte shumë më e përshtatshme nëse bindet Kina të ndërhyjë për të gjunjëzuar regjimin e Kim. Kjo do të kërkonte diplomaci të shkathët.

Zyrtarët kinezë ende këmbëngulin se nuk e kontrollojnë Korenë e Veriut. Kjo mund të jetë e vërtetë, deri në një pikë. Megjithatë është e qartë se askush nuk ka më tepër ndikim në Piongiang sesa shefat e Partisë Komuniste Kineze. Dhe është shumë e mundur që, pas dyerve të mbyllura, zyrtarët kinezë të jenë duke e testuar tashmë aftësinë e tyre për të manipuluar disa nga figurat e errëta që rrethojnë Kim, i cili duket se po bëhet gjithnjë e më paranojak ndaj një grushti shteti.

Por Kina ka pak gjasa të bjerë dakord për një ndërhyrje më direkte në Korenë e Veriut pa kompensim. Ndoshta Amerika, me aleatët e saj aziatikë, mund të bëjë një ndryshim modest të qasjes së tyre ndaj pretendimeve të paligjshme territoriale të Kinës në detin e Kinës Jugore dhe Lindore. Kjo sigurisht që nuk do të pëlqehet nga fqinjët e Kinës. Por mund të jetë e nevojshme për të neutralizuar kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut. Për neutralizimin e ambicieve bërthamore të Koresë së Veriut ia vlen të sakrifikohet.

Kur shihet bota nga perspektiva e Nagasakit, nevoja për të ruajtur një pluralitet dhe hapje, ndërsa çohet përpara boshti strategjik i Amerikës në Azi, bëhet gjithnjë e më i qartë. Është një perspektivë që presidenti i ardhshëm i SHBA-së duhet ta përqafojë. /Project Syndicate/reporter.al/